Universiteti Barleti, në partneritet me Institutin Adriapol dhe Triple City, në datat 9-10 Nëntor 2023, organizoi me sukses konkursin digjital të edukimit, në bashkëpunim me nismën ndërkombëtare DigiEduHack 2023, e mbështetur nga Bashkimi Europian. DigiEduHack (Digital Education Hackathon) synon të nxisë inovacionin, bashkëpunimin dhe kreativitetin në arsimin digjital, duke synuar ndryshim dhe impakt pozitiv në këtë fushë. E nisur nën moton “Njerëzit në qendër të edukimit dixhital” kjo nismë digjitale ka filluar në vitin 2019 dhe, në këtë edicion të tretë ka bashkuar kodues dhe jokodues, ekspertë në arsim, mësues dhe studentë në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat aktuale me të cilat përballet arsimi digjital. Teknologjia vazhdimisht ka shërbyer si katalizator i ndryshimeve të mëdha në fushën e arsimit, duke hapur dyert për inovacion dhe përmirësim të proceseve mësimore.
Konkurentët të cilët kanë marrë pjesë në edicionet e “Hackathon Barleti” janë orientuar nga mentorë profesionistë të fushës si Ing. Amir Esmaeilakhtar ekspert IT, Dr. Kejda Nuhu eksperte në Menaxhimin e Inovacionit, Dr. Olta Murataj eksperte në Komunikim si dhe MSc. Anisa Doçi eksperte në Software kompjuterik, duke i ndihmuar në zhvillimin e aftësive digjitale, të aftësive kritike si dhe krijimtarisë në të nxënë. Po ashtu, të njejtët mentorë, ndoqën dhe konkurrentët të cilët u bënë pjesë e nismës së DigiEduHack 2023.
Juria e këtij Hackathon-i mbi inovacionin në edukim, e përbërë nga Sokol Shurdhi ekspert ICT, Besarta Hoxha Mentore QA, Ermal Hoxha Producent/regjisor, Sabina Borakaj Drejtoreshë ekzekutive në Qendra “Youth Act” dhe, Erion Muça ekspert PR, bëri vlerësimin e konkurentëve bazuar në aftësinë prezantuese, aftësinë teknike, vlefshmërinë e idesë, dhe qëndrueshmërinë e projektit. Bazuar në këto cilësi, projekti “Digi Library” që u prezantua nga zonjusha Suada Rrustaj u përzgjodh projekti fitues.
Ky projekt inovativ ka për qëllim të ndihmojë bibliotekat të përmirësojnë shërbimin e tyre ndaj individëve duke përfshirë këtu të gjithë sistemin e menaxhimit të librave. Suada Rrustaj, si fituese kombëtare do të përfaqësojë Shqipërinë në fazën e dytë të konkursit ndërkombëtar të DigiEduHack 2023, ku do të konkurojë me fituesit nga 22 shtete të tjera të botës.
Ngjarje si DigiEduHack shërbejnë si platforma për shkëmbimin e ideve dhe nxitjen e inovacionit, duke kontribuar në përparimin e edukimit digjital dhe formimin e një brezi të ardhshëm të aftë për të sfiduar dhe transformuar shoqërinë në mënyra pozitive.
Universiteti Barleti dhe partnerët e tij mbeten të përkushtuar në përdorimin e teknologjisë për të ndikuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe për të përgatitur nxënësit për sfidat e një bote në ndryshim.